Ese homazh
Shkruan : Maxhun Osmanaj
LETËRSIA PAS IKJES SË PRINCIT TË LETRAVE, KADARE
Dje, sot, nesër në javët dhe në muajt në vijim, me rastin e ikjes në pavdekësi të gjeniut, Kadare ( 28 janar 1936 -1 korrik 2024), po shkruhet dhe do të shkruhet në revista, gazeta, portale, mediume vendore dhe ndërkombëtare për perëndimin e jetës fizike, por edhe për rilindjen e kujtesës shpirtërore. Më 1 korrik 2024, qielli shqiptar, arti shpirtëror-letrar u vesh me një petk të zi- pikëllim. U shua një yll për letërsinë shqiptare dhe asaj botërore, ngase i dha artit letrar vlera të përbotshme, saqë për të gjallë të Tij, kritikët i dhanë epitete nga më të ndryshme : Gjeniu i letrave, Fenomeni Kadare, Princ i letrave, Mjeshtër i fjalës, Olimpi që preku majat, Ambasador i kulturës, Nënshtetasi botëror i kulturës, Kolos, Gjigand...,etj.
Studiuesit e veprës së Tij, e krahasuan me Gogolin, Shekspirin , Kunderën, Ourelin... Pse gjithë ky admirim, vlerësim, shtrohet pyetja ? Nga një vend i vogël, i tragjedive të mëdha shumëshekullore, por nga një popull stoik, kërkues i lirisë së vet në tokën stërgjyshore, lindi dhe u rrit, jetoi dhe veproi, i dha vulën letërsisë shqiptare dhe asaj botërore duke gërshëtuar fatin, ëndrrat, identitetin, kulturën, mentalitetin përballë stuhive të pushtetit vendor dhe rrjedhave ballkanike dhe evropiane, shumëherë të padrejta, fatkeqësisht.
Zëri dhe measzhi i Tij metaforik në veprat letrare të autorit, bëri që Evropa dhe bota ta kuptojë dramën, odiseadën nëpër shekuj të shqiptarëve. Ai na transmetoi me urtësi, mençuri dhe civilizim ëndrrat e shqiptarëve. Prandaj, nuk është e rastit që vepra e gjeniut u përvetësua te populli i tij, te lexuesit evropianë dhe botërorë. Ai që nga dje banon në shtratin qiellor të parajsës, por që nga perëndimi i Tij fizik, fillon ndriçimi tjetër i kujtesës, vlerësimit dhe eksplorimit të rilindjes shpirtërore. Jo të gjithë njerëzit rilindin pas ikjes fizike. A është kjo e natyrshme?! Të rrallë rilindin, vetëm të rrallët kujtohen nëpër vite dhe shekuj nga kujtesa e njerëzimit. Shkrimtari ynë i përmasave botërore e gëzoi dhe do ta gëzojë atë fat. Ata i rilind koha, arti, vlerat që i dhanë letërsisë, humanizmit, edukimit, civilizimit botëror. Ata me punën e tyre, me gjenialitetin e tyre, vetë koha ua ngriti monumentin e pavdekësisë, pra monumentin e rilindjes, në këtë rast, të Princit të letrave, Kadare.
Kadare shënoi dy shekuj XX- XXI, kohën që i dha shkëlqim të mrekullueshëm artit letrar, ndriçim dhe emancipim, saqë preku majat edhe të letërsisë botërore duke u përkthyer në afër 50 gjuhë të huaja, duke fituar shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare me peshë artistike. Vallë, a s’është një sukses i pakontestuar?! Vetë koha, përvoja jetësore, i dha të drejtë gjeniut se, letërsinë, artin letrar e pranoi si mision më larg se profesioni. Pra, tërë jetën, thuaja mbeti shkrimtar i lirë. Ai lëvroi me dashuri dhe krenari tema që e “ngacmuan” në mendje fatin e parreshtur të popullit shqiptar në histori që nga koha e Motit të Madh- Skënderbeut deri të deformimet e sistemeve që jetoi, pra deri në ditët e sotme.
Ai lidhi kohërat me ngjarjet mjeshtrisht, sikur duke qenë “kalorës apo ushtar” aty për aty i çdo beteje të popullit shqiptar. Në shumë vepra preku temën etnopsikologjike, duke qenë vetë një “bimë” që u rrit në arën pjellore, por me një klimë të papërshtatshme për frutim..., me stinë të shpeshta të acarta, të egra... Lëvroi edhe temën historike-politike, si dhe disa tema me frymë popullore me tharmin legjendar, duke i dhënë frymë, fytyrë dhe shpirt të ri artit letrar në përgjithësi.
Çka e veçoi këtë shkrimtar nga të tjerët, shtrohet pyetja ?! Mendoj se në këtë pyetje më mirë se askush tjetër do të përgjigjen kritikët, teoricientet dhe studiuesit e veprës së Tij. Por gjithmonë gjatë leximit të veprave të gjeniut, më ka mbetur si kureshtje; narracioni i brendshëm i brumit letrar, fabula dhe kompozicioni që lidh mjeshtrisht kohën, personazhet dhe përshkrimin artistik me format më të bukura estetike, si dhe mesazhin që mbetet pika kulmore e veprës.
Kadare ia shkroi një biografi shpirtërore popullit të vet, përifrazim i studiuesit prof.dr. Agim Vinca. Mjeshtri sikur mblodhi ëndrrat, ngjarjet, kronologjinë, etnopsikologjinë dhe i vulosi në vepër , ua la brezave, kohërave në vijim.
Ai mbeti një Lis rrënjëthellë që lëshoi rrënjë të forta në tokën stërgjyshore, por edhe një pemë që frytoi dhe do të frytojë gjatë në civilizimin shqiptar-evropian dhe botëror. Në dy shekujt që jetoi, mbeti edukatori-mësuesi më i denjë shpirtëror shqiptar që edukoi shoqërinë përballë kulturave botërore.
*
( Si e “njoha “ Kadarenë ?! )
Emrin KADARE e mësova si fëmijë paksa i pjekur në fillim të viteve të ’70-ta të shekullit të kaluar, kuptohet nga librat e leximit në shkollë. Por fëmija , lexues i pasionuar gjatë udhëtimit, “vjedh “poezi të autorit për t’i lexuar, që tashmë autori po kulmonte drejt sukseseve të reja. Për disa vite , në arën mendjes së trurit, mbolla mendimin se Kadare është poet, për bindjen për vlerat që hetoja dhe vargjet që më dehnin si njomak.
Në fund të viteve të shtatëdhjeta dhe fillim të viteve të tetëdhjeta duke u ndeshur me prozën e gjeniut, tashmë më kishte bërë për vete, si dhe duke eksploruar si student në Fakultetiin Filologjik, dega Letërsi dhe Gjuhë shqipe në Prishtinë, në arën e gjykimit, m’u ngulit se autori është tashmë edhe prozator-romansier, por edhe i “shashtisur” pas leximit të veprës në prozë.
Ndërsa me kalimin e kohës , kur fillova bëlbëzimet letrare, mësova edhe diç më shumë, sidomos pas leximit të veprës “ Eskili, ky humbës i madh”, mësova që Kadare qenka edhe eseist i thellë, i rrallë.Tek nëpër vite, kur u ligjëroja nxënësve lëndën e gjuhës shqipe, hyra edhe më thellë në shpirtin krijues të mjeshtrit , Kadare dhe kuptova se Ai lëvroi të gjitha zhanret e artit letrar. Mbeti shkrimtari më i kompletuar i dy shekujve, që shënoi një epokë të ndritur.
Një ditë, fati më përqafoi, diku në vitin 2007 apo 2008, me ftesë të Fakultetit Filologjik, në një nga sallat e amfiteatrit të fakultetit, princi i letrave ndodhej aty , në prani të profesorëve, personaliteteve të artit, kulturës, akademisë, shtetit...Aty ia dëgjova zërin, ia pashë fytyrën, ia hetova madhështinë. Për veprën e Tij, foli prof.dr.Agim Vinca, ku me atë rast, stafi i fakultetit e nderoi me çmimin “Docktor Honoris Causa”. Më vonë, veprat e prozatorit, poetit, eseistit i kërkoja vazhdimisht t’i lexoja, t’i shijoja mbresat, të flisja me shpirtin e tyre...Ai i dha letërsisë bukurinë e fjalës, formën e veçantë të rrëfimit, narracionin dhe kompozicionin unik , ndërsa “ Letërsia më dha gjithçka që kam sot, ishte kuptimi i jetës sime, më dha kurajon për të rezistuar lumturinë, shpresën për të kapërcyer gjithçka”, tha në një intervistë për AFP-në. E gjithë e hëna, pas lajmit të trishtë, më iku veshur me velin pikëllimit, si i humbur nuk e pranoja ikjen e gjigandit të letërsisë shqipe. Portalet ishin bombarduar me dhimbje, lexuesit ende nuk besonin se Ai tani banon në qiellin e parajsës, por ndriçimi i veprës së Tij mbetet portë dhe dritare e hapur për brezat që do të vijnë. Në mendje më erdhën ca fjali lëmsh si ndarje, duke iu drejtuar sikur më dëgjonte kryemjeshtri: LAMTUMIRË KADARE! Lum shqiptaria që ju rriti! Lum dy shekujt që i jetove! Ju ishit i mbarë njerëzimit.Ta paçim borxh nderimin për jetë e mot! I lumtur që jetova në epokën kadareane!
Istog, më 2 korrik 2024
Fondato da: Francesca Gallello
© 12-2024 Design by Artvision.
All Rights Reserved.